Vdes sportisti më i shkurtër në botë

Thursday, September 13, 2012



Sportisti më i shkurtër në botë ndërroi jetë ditën e enjte në moshën 23-vjeçare.
Aditya “Romeo” Dev, një “bodybuilder” me gjatësi prej 80 centimetrash dhe me peshë prej vetëm dhjetë kilogramësh, ndihej në formë të shkëlqyer dhe ishte stërvitur si çdo ditë, përpara se të humbte ndjenjat gjatë mbrëmjes.
Ai humbi jetën në spital në krahinën e Punjabit në Indi dhe mjekët përcaktuan se Dev kishte vuajtur një hemorragji në tru, si rrjedhojë e një sindrome nga e cila vuante prej disa vitesh.

“Ndonëse mjekët na kishin paralajmëruar se me gjendjen e tij fizike mund të mos jetonte shumë gjatë, kjo është një humbje katastrofike për familjen tonë. Do ta vajtojmë gjithmonë humbjen e Dev, njeriut që na bënte të gjithëve të lumtur, ndonëse Dev lindi me një formë të rrallë të nanizmit, ai nuk e la asnjëherë sëmundjen që ta mposhte” tha babai i tij Anil Dev.
Ndonëse peshonte pak më shumë se nëntë kilogram, 23-vjeçari arrinte të ngrinte peshat 1,5 kilogramësh, të bënte paralele dhe kishte punuar shumë për të krijuar një formë të plotë muskulore, ashtu si një “bodybuilder” i vërtetë, i buzëqeshur dhe i lumtur.
Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.