Miell makines se Berishes....??

Thursday, September 13, 2012


Sapo u përhapën lajmet e para mbi incidentin me makinën e Berishës, nisi punën edhe një “makinë” tjetër, për të cilën publiku ka pak ose aspak dijeni, por që vepron së pari mbi gazetarët-reporterë, e më pas mbi të gjithë me efektin e njohur domino të përcjelljes së informacionit.
Në momentin e parë të ngjarjes, telefonatat e reporterëve me redaksitë përkatëse (dhe me ne të tjerët që dëshironim të dinim diçka më shumë mbi ngjarjen) ishin të tilla: “Kanë qëlluar makinën e Berishës kur po hynte në Kuvend me eskortën, pastaj janë kthyer rojet dhe i kanë rrahur, kanë plagosur një… ” etj. Në fjalët e tyre të thëna me nxitim ndihet një lloj entuziazmi i zanatçiut, ai delli i profesionit që del në pah sapo nuhatet rrethana që e bën një lajm “lajm të fortë” ose “lajm për faqe të parë” siç thonë zakonisht gazetarët.
Këtë ndjesi e njohin më saktë redaktorët e mediave. Por e njohin mirë edhe ata që vënë në lëvizje këtë “makinën” e fshehur për të cilën po flasim. Dhe ja si ndryshoi toni dhe tekstet e telefonatave të gazetarëve pasi u mor vesh që personat që sulmuan me pako mielli makinën e kryeministrit ishin “grupi i Gjergjit”, (ish-të përndjekurit që është vënë disa herë në qendër të vëmendjes së publikut për gjeste të ngjashme): “Aha, asgjë, asgjë.. Është ai budalli që ka rrahur dhe Rusmailin”.
Entuziazmi i zanatçiut duket i rënë, mënyra si raportohet ngjarja nis e ndryshon … Cfarë ndodh? “Makina” e padukshme qeveritare është vënë në punë. E vërtetë që ajo përfiton nga mënyra si shpërndahet dhe menaxhohet informacioni në Shqipëri, nga mosha e re e reporterëve, nga kufizimet dhe vetëkufizimet e redaktorëve, por mbi të gjitha përfiton nga flirti pushtet-media, ku kjo e fundit modifikon në moment qëndrimet dhe nis e ri-raporton në krye të herës atë që u “është thënë” – (në këtë rastin e miellit mbi Berishën: “Hë mo, se është ai budalli…”) – dhe jo atë që reporterët kanë parë me sytë e tyre.
Reporterët telefonojnë zëdhënësit e shtypit. Këta të fundit kërkojnë kohë të pyesin drejtuesit e zyrave të shtypit. Këta lidhen me “shefin”.. Dhe pastaj “Hë mo-ja” bën rrugën e kthimit, nga shefi te drejtuesi, nga ky te zëdhënësi, nga zëdhënësi te reporteri, nga ky te redaktori, te edituesi… Më pas, kërcasin telefonat flirtues: ky duhet të jetë qëndrimi: “Është ai budalli…” dhe gjithçka vuloset në edicione lajmesh dhe botime gazetash ditën e nesërme. Disa e bëjnë të rafinuar, të tjerët fare hapur. Ka që nuk i binden “makinës” por këta po janë përherë e më pak.
Lajmi i sotëm me pak fjalë është ky: Një grup ish-të përndjekurish kanë goditur me pako mielli dhe vezë makinën e kryeministrit Sali Berisha. Sipas gazetarëve që ndjekin punën e Kuvendit për të përditshmet shqiptare, ngjarja ka ndodhur në hyrje të ndërtesës së Kuvendit. Eskorta nuk ka ndaluar, por pak minuta pas ikjes së saj, forca të sigurisë raportohet se kanë ndaluar dhe goditur personat që qëlluan. Janë ish-të përndjekurit Skënder Tufa dhe Agim Kollcaku, (ky i fundit kreu i ish-të përndjekurve të Kavajës) të cilët së bashku me ish-të përndjekurin Gjergj Ndreca, janë angazhuar disa herë në veprime të ngjashme./respublica



Share this article on :
 
© Copyright 2011-2012 Gazeta Sot Online All Rights Reserved.